Aktivistja në protestë: SPAK të hetojë edhe përgjegjësinë politike për aferat e korrupsionit

Data

Protesta qytetare para Kryeministrisë vijoi edhe mbrëmjen e së enjtes me fjalime dhe thirrje kundër qeverisë, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan më shumë transparencë, drejtësi dhe llogaridhënie nga institucionet shtetërore.

Gjatë tubimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aktivistja Sidorela Vatnikaj u ngjit në podium dhe deklaroi se protesta synon ndërtimin e një Shqipërie më të drejtë dhe me më shumë mundësi për qytetarët.

Në fjalën e saj, ajo ngriti shqetësime për emigrimin e të rinjve, kushtet sociale dhe ekonomike, si dhe për çështjet që lidhen me korrupsionin dhe përgjegjësinë politike.

“Jam këtu për një Shqipëri dhe drejtësi të re. Jam këtu për të rinjtë që janë detyruar të largohen nga vendi dhe për ata që ndihen pa mundësi në Shqipëri”, u shpreh Vatnikaj.

Aktivistja i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë, përfshirë SPAK-un, që të hetojnë çdo rast të dyshuar korrupsioni dhe të verifikojnë përgjegjësitë në nivelet më të larta të qeverisjes.

“Drejtësia duhet të hetojë të gjitha aferat dhe të vendosë përgjegjësi për këdo që ka shkelur ligjin”, deklaroi ajo para protestuesve.

Gjatë fjalës së saj, Vatnikaj theksoi gjithashtu nevojën për mbrojtjen e pasurive natyrore dhe interesit publik, duke argumentuar se vendimmarrja për çështje të rëndësishme duhet të përfshijë qytetarët.

Protesta para Kryeministrisë po zhvillohet për të 12-ën ditë radhazi dhe ka mbledhur qytetarë të moshave dhe bindjeve të ndryshme politike, të cilët kërkojnë ndryshime në qeverisje, më shumë llogaridhënie institucionale dhe adresimin e problemeve sociale e ekonomike në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related