“Shqiptarët po përballen me ushqime të pasigurta”, Partia e Lirisë kërkon kontrolle urgjente dhe mbështetje për fermerët vendas

Data

Partia e Lirisë ka ngritur shqetësimin për sigurinë ushqimore në Shqipëri, duke akuzuar institucionet përgjegjëse për mungesë kontrollesh dhe neglizhencë në mbrojtjen e konsumatorëve, veçanërisht gjatë sezonit veror.

Në një deklaratë për mediat, Silvana Bajrami, kryetare e Komisionit të Bujqësisë në Partia e Lirisë, tha se temperaturat e larta shtojnë rrezikun e helmimeve ushqimore, ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me produkte që, sipas saj, tregtohen pa standardet e nevojshme të sigurisë.

Sipas Bajramit, në treg qarkullojnë produkte ushqimore me kontroll të pamjaftueshëm, përfshirë mish, bulmet, fruta dhe perime, ndërsa institucionet shtetërore nuk po garantojnë mbikëqyrjen e duhur të zinxhirit ushqimor.

Përfaqësuesja e Partisë së Lirisë ngriti gjithashtu shqetësimin për gjendjen e sektorit të bujqësisë, duke argumentuar se fermerët shqiptarë po përballen me mungesë subvencionesh, kosto të larta prodhimi dhe konkurrencë të fortë nga produktet e importuara.

“Shqipëria po kthehet gjithnjë e më shumë në një treg konsumator të varur nga importet, ndërsa prodhimi vendas po humbet terren dhe fermerët po përballen me vështirësi serioze ekonomike”, deklaroi ajo.

Partia e Lirisë kërkoi ndërmarrjen e disa masave urgjente, mes të cilave:

  • Kontrolle të menjëhershme dhe transparente në subjektet që tregtojnë produkte ushqimore;
  • Rritje të standardeve të sigurisë për produktet e importuara;
  • Mbështetje financiare për fermerët dhe prodhuesit vendas;
  • Politika mbrojtëse për produktet “Made in Albania”;
  • Masa emergjente për të parandaluar falimentimin e sektorit bujqësor.

Sipas Bajramit, garantimi i sigurisë ushqimore dhe mbështetja e prodhimit vendas duhet të jenë prioritete kombëtare, pasi lidhen drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë ushqimore të vendit.

Në përfundim, ajo theksoi se qytetarët shqiptarë meritojnë ushqim të sigurt, produkte vendase konkurruese dhe institucione që veprojnë në mbrojtje të interesit publik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related