Ndikimi i “politikës së drejtorëve” në zgjedhjet e 11 majit

Data

Sektori publik në Shqipëri është fryrë e mbufatur me të punësuar shtesë gjatë viteve të fundit, veçanërisht në nivelin e drejtorëve dhe të punëtorëve të pakualifikuar, ndërsa rënia e popullsisë për shkak të emigrimit ka bërë që numri i të punësuarve në raport me popullsinë të rritet edhe më shpejt, sugjerohet nga shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave të analizuara nga BIRN. Në fund të vitit 2024, sektori publik, ku përfshihen administrata qendrore, pushteti vendor dhe ndërmarrjet me kapital aksioner publik, shënoi 184 mijë të punësuar, me një rritje prej 20 mijë vetësh ose 12.4% në krahasim me vitin 2013, kur socialistët morën për herë të parë pushtetin. Rritja e të punësuarve në sektorin publik ka nisur pas vitit 2018 dhe ka shënuar kulmin në vitin 2021 dhe më 2024, që të dy vite zgjedhore apo pragzgjedhore. Shtimi në sektorin publik ka qenë veçanërisht i madh në nivelin e drejtorëve, duke bërë që nga viti 2023, të ketë efektivisht një drejtor për çdo tetë specialistë dhe punëtorë të thjeshtë.

Ndërsa numri i të punësuarve në shtet është rritur, popullsia, së cilës teorikisht këta të punësuar i shërbejnë, ka ardhur në rënie. Të dhënat e censit 2023 shënuan popullsi rezidente në Shqipëri prej 2.4 milionë banorësh, nga 2.82 milionë që raportohet të kenë qenë në vitin 2011.  Rrjedhimisht, numri i të punësuarve në sektorin publik për 100 banorë është rritur, nga 6 për 100 në 7.8 për 100.

Vëzhguesit ndërkombëtarë bënë të ditur në raportin e vet paraprak për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri se punonjësit e sektorit publik u vunë në këto zgjedhje nën presion dhe se aludimet dhe raportimet për presione ndaj sektorit publik ishin “të gjithëpërhapura”. Vëzhguesit i vënë gishtin drejtpërsëdrejti mitingjeve të Ramës me gratë, në të cilat, siç theksohet në raport, pjesëmarrëset ishin më së shumti punonjëse të sektorit publik dhe se në katër raste, disa prej tyre u treguan vëzhguesve se u ishte kërkuar të paraqiteshin në mitingjet e kryeministrit.

Abuzimet dhe presionet ndaj sektorit publik nuk  janë gjë e re në zgjedhjet shqiptare, por ajo që vërehet në zgjedhjet e fundit, dhe gjuha e përdorur nga vëzhguesit ndërkombëtarë, është me të vërtetë e paprecedentë. Për shembull, para zgjedhjeve të vitit 2013, Partia Socialiste u ankua te vëzhguesit ndërkombëtarë për raste të pushimit nga puna në sektorin publik të mbështetësve të saj dhe vëzhguesit, në raportin e atyre zgjedhjeve, i konsideruan ankesat e PS si “të besueshme”. Por kjo do të thotë gjithashtu se, në vitin 2013, tetë vjet pas ardhjes së demokratëve në pushtet, në sektorin publik kishte mbështetës të opozitës, gjë që nuk mund të thuhet shumë lehtë sot.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related