“Më përdorën si statistikë”, Ilir Beqaj pas miratimit të IBAR: Nuk kam penguar integrimin europian të Shqipërisë

Data

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar pas miratimit të raportit IBAR dhe avancimit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke deklaruar se ky zhvillim rrëzon pretendimet se çështja e tij penale ka dëmtuar rrugën e vendit drejt Bashkimit Europian.

Në një deklaratë publike të shpërndarë nga avokati i tij, Beqaj shprehet se miratimi i IBAR-it përbën një lajm të mirë për Shqipërinë dhe njëkohësisht një lehtësim personal për të, pasi sipas tij vërteton se akuzat e ngritura ndaj tij nuk kanë ndikuar në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.

“Miratimi i IBAR-it dhe vijimi i negociatave tregojnë se Shqipëria nuk është penguar në rrugën e saj europiane dhe se unë nuk kam qenë shkaku i ndonjë dëmtimi të këtij procesi”, shprehet ai.

Beqaj kujton se prej 23 muajsh ndodhet në paraburgim në kuadër të hetimeve për fondet e Bashkimit Europian dhe thekson se në vendimet e mëparshme gjyqësore është konstatuar mungesa e provave për korrupsion. Sipas tij, çështja është përdorur shpesh si pjesë e statistikave që synojnë të tregojnë angazhimin e institucioneve shqiptare në luftën kundër korrupsionit.

Ish-ministri shprehet se ka ndjerë se është trajtuar si një “statistikë” në debatin publik dhe institucional mbi rezultatet e reformës në drejtësi dhe procesit antikorrupsion.

Në deklaratën e tij, ai vlerëson arritjet e Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Europian dhe përgëzon institucionet shtetërore për përmbushjen e standardeve të kërkuara në kuadër të Klasterit “Themelorët”, që konsiderohet një nga kapitujt më të rëndësishëm të procesit të anëtarësimit.

Në fund, Beqaj thekson se pret që çështja e tij të gjykohet me paanshmëri, ekuilibër dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës.

“Vazhdoj të pres me besim që çështja ime personale të vlerësohet me paanshmëri dhe në respekt të plotë të shtetit ligjor, i cili është themeli i projektit europian ku aspiron Shqipëria”, përfundon deklarata e tij.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related