Tensionet brenda opozitës vijojnë të thellohen pas deklaratave të fundit të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me mbështetësit e ish-deputetit Ervin Salianji.
Pas paralajmërimit të Berishës se kushdo që ndjek aktivitetet politike të Salianjit “i ka mbyllur hesapet me PD-në”, ka reaguar ashpër anëtari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), Orest Berberi, i cili tashmë është rreshtuar publikisht në krah të lëvizjes së Salianjit.
Në një postim në rrjetet sociale, Berberi kundërshton idenë e përjashtimit nga partia dhe deklaron se Partia Demokratike nuk është pronë e askujt.
“Ne PD dhe opozitë nuk mund të më përjashtojë një ish-sekretar i PPSH-së i dikurshëm dhe sot ‘Hero i Demokracisë’”, shkruan ai, duke iu referuar Berishës.
Berberi thekson se Partia Demokratike i përket demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë, ndërsa kritikon atë që e konsideron një kulturë përjashtuese brenda partisë. Sipas tij, forca më e madhe opozitare nuk duhet të drejtohet nga interesa personale apo logjika e emërimeve politike.
Në reagimin e tij, ai shprehet gjithashtu kritik ndaj procesit të ripërtëritjes së shpallur nga drejtuesit aktualë të PD-së, duke argumentuar se përjashtimet dhe etiketimet bien ndesh me frymën e reformimit të partisë.
Deklarata e Berberit vjen në një moment kur debatet e brendshme në Partinë Demokratike janë intensifikuar pas Kuvendit Kombëtar dhe përplasjeve publike mes mbështetësve të Berishës dhe grupimit që mbështet Salianjin.
Përplasja mes palëve po nxjerr në pah ndasitë e reja brenda kampit opozitar, ndërsa diskutimet për organizimin dhe drejtimin e ardhshëm të PD-së pritet të vazhdojnë edhe në javët në vijim.
