“Kilometri i fundit vendos fatin e fitores”, Berisha ndez motorët e opozitës nga Kuvendi Kombëtar: Jemi pranë finishit, PD nuk blihet, nuk shitet dhe do të rikthehet në pushtet

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e shfrytëzoi Kuvendin Kombëtar të PD-së për të dhënë një mesazh mobilizues për strukturat dhe mbështetësit e opozitës, duke deklaruar se demokratët ndodhen tashmë në “kilometrin e fundit” të betejës politike për rikthimin në pushtet.

Në një fjalim të gjatë para delegatëve dhe të ftuarve vendas e ndërkombëtarë, Berisha tha se Partia Demokratike ka kaluar periudha të vështira, por sot ndodhet më pranë se kurrë objektivit të saj politik.

“Sot nuk jemi më forca politike që lufton në mbrojtje. Sot jemi forca politike në kilometrin e fundit drejt fitores. Kjo parti nuk blihet, nuk shitet dhe nuk mposhtet”, u shpreh ai.

Kuvendi u hap në mënyrë simbolike me një avatar digjital të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të krijuar nga Departamenti i Inteligjencës Artificiale i PD-së, i cili përcolli një mesazh për ripërtëritjen dhe luftën kundër korrupsionit.

Duke iu referuar figurës së heroit kombëtar, Berisha tha se mesazhi i Skënderbeut mbetet frymëzim për demokratët.

“Mesazhi i tij është: edhe i vetëm, mos u dorëzo. Ai fitonte betejat dhe ky është mësimi që duhet të marrim sot”, deklaroi kreu demokrat.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës iu kushtua konceptit të “kilometrit të fundit”, metaforë që Berisha e ka përdorur vazhdimisht muajt e fundit për të përshkruar fazën finale të përballjes politike me qeverinë.

“Në maratonë të gjithë e dinë peshën e kilometrit të fundit. Kur arrin aty, bota duket e jotja. Ndaj edhe ne do të ndërmarrim çdo vendim dhe çdo masë për ripërtëritjen e partisë”, tha ai.

Berisha prezantoi gjithashtu vizionin ekonomik të opozitës, duke premtuar rritje të ndjeshme të pensioneve, rrogave dhe mbështetjes për fermerët.

“Minimumi jetik, dyfishimi dhe trefishimi i pensioneve janë zotimet tona. Shqipëria do të dalë në krye të rajonit për rroga dhe pensione”, deklaroi ai.

Në fund të fjalës, kreu i PD-së vuri theksin te procesi i ripërtëritjes së partisë, duke kërkuar angazhim më të madh nga të rinjtë, gratë dhe strukturat bazë të organizatës.

“Mesazhi i këtij Kuvendi është ripërtëritje. Ky mesazh mbart shpresën e pashuar të shqiptarëve. Shpresa është forcë, forca është shpresë. Fitore!”, përfundoi Berisha, duke u bërë thirrje demokratëve të nisin organizimin për betejat e ardhshme politike dhe elektorale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related