Përplasjet brenda Partisë Demokratike kanë hyrë në një fazë të re pas deklaratës së kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili paralajmëroi se çdo demokrat që merr pjesë në takimet e Ervin Salianji “i ka hesapet e mbyllura me PD-në”.
Ish-deputeti demokrat reagoi menjëherë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi deklaratën e Berishës si provën më të qartë të krizës së demokracisë së brendshme në parti.
Sipas Salianjit, problemi kryesor i Partisë Demokratike nuk është mungesa e mbështetjes elektorale, por mungesa e hapësirës për garë, debat dhe meritokraci.
“Deklarata e Sali Berishës se ‘kushdo që bashkëpunon me Salianjin s’ka punë me PD’ është dëshmia e qartë se problemi i Partisë Demokratike nuk është mungesa e mbështetjes, por mungesa e demokracisë”, shkruan ai.
Në reagimin e tij, Salianji akuzon drejtimin aktual të PD-së se po funksionon mbi logjikën e bindjes së verbër dhe përjashtimit të mendimit ndryshe, duke shtuar se një forcë politike nuk mund të trajtohet si pronë personale e askujt.
“Një parti politike nuk mund të funksionojë si pronë personale. Në një parti demokratike nuk përjashtohen njerëzit sepse mendojnë ndryshe dhe nuk vendoset besnikëria ndaj individit mbi interesin e partisë”, thekson ai.
Ish-deputeti demokrat argumenton se Partia Demokratike ka nevojë për një projekt fitues që bashkon demokratët dhe jo për lista përjashtimesh apo ndarje të reja brenda opozitës.
“Demokratët nuk kanë nevojë për lista armiqsh, por për një projekt fitues që bashkon dhe jo përçan. PD nuk bëhet shumicë duke përjashtuar demokratët. PD bëhet shumicë duke i bashkuar ata”, shprehet Salianji.
Reagimi i tij vjen një ditë pas takimit të zhvilluar në Tiranë me mbështetës dhe figura të njohura të Partisë Demokratike, takim që ka nxitur debat të fortë në selinë blu dhe ka thelluar përplasjet mes grupimeve të ndryshme brenda opozitës.
