Fundjava ka sjellë një rritje të ndjeshme të lëvizjeve në pikën kufitare të Morinës, ku mijëra qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur të kalojnë drejt Shqipërisë për të shijuar ditët e pushimit në bregdet.
Që në orët e para të mëngjesit, fluksi i automjeteve ka qenë i lartë, ndërsa destinacionet më të preferuara mbeten qytetet bregdetare shqiptare. Kushtet e favorshme atmosferike dhe kostot e përballueshme po i shtyjnë gjithnjë e më shumë pushuesit të zgjedhin bregdetin shqiptar për fundjavën.
Ndërkohë, procedurat e lehtësuara kufitare kanë ndikuar ndjeshëm në shmangien e pritjeve të gjata. Që prej 1 majit, automjetet me targa të Shqipërisë dhe Kosovës kalojnë kufirin me procedura të thjeshtuara, duke përshpejtuar qarkullimin në të dy anët.
Sipas të dhënave të Policisë Kufitare, gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri kanë hyrë mbi 26 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj. Autoritetet presin që numri i hyrjeve të rritet edhe më tej gjatë ditëve në vijim, teksa bregdeti shqiptar mbetet zgjedhja kryesore e mijëra pushuesve nga Kosova.
