Bushati kritikon Ramën për rezolutën ndaj Iranit: Politika shqiptare po harxhon energji, prioritetet në rajon s’duhen lënë në inerci

Data

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka kritikuar qëndrimet e kryeministrit Edi Rama lidhur me iniciativën për një rezolutë që shpall Iranin shtet që nxit terrorizmin.

Sipas Bushatit, ndërmarrja e një rezolute të tillë përbën një harxhim energjie për politikën shqiptare, pasi Shqipëria tashmë disponon një ligj të posaçëm që parashikon instrumentet e nevojshme për të vepruar në raste të tilla.

Në një reagim publik, ai theksoi se vëmendja duhet të përqendrohet tek çështjet strategjike që lidhen me rajonin dhe procesin e integrimit europian.

“Politika shqiptare harxhon energji me rezoluta për shpalljen e Iranit si shtet që nxit terrorizmin, edhe pse Shqipëria ka një ligj të mirëfilltë që parashikon instrumentet e nevojshme që mund të vihen në zbatim në raste të tilla. Është e domosdoshme që prioritetet tona në rajon të mos i lihen inercisë,” shkruan Bushati.

Ai solli në vëmendje edhe artikullin e përbashkët të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç, të publikuar në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ku flitej për mundësinë e një anëtarësimi “të nivelit të dytë” në Bashkimin Europian për vendet e rajonit.

Sipas Bushatit, vetëm pak ditë pas publikimit të këtij artikulli, presidenti serb i është rikthyer retorikës së zakonshme politike duke paralajmëruar për narrativa të rreme dhe kërcënime për luftë nga një aleancë e supozuar mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.

“Loja e vjetër me dy partitura, njëra për vendet europiane dhe tjetra për konsum në politikën e brendshme, vetëm sa ka çimentuar status quo në rajon,” theksoi Bushati, duke shtuar se Ballkani Perëndimor ka nevojë për sundim të ligjit, prosperitet dhe bashkëpunim, jo për retorikë të bazuar në frikë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related