Një vendim i rëndësishëm i Gjykatës së Lartë ka sqaruar se cila gjykatë do të shqyrtojë dosjen penale ku i pandehur është Ervis Martinaj, i zhdukur prej gushtit të vitit 2022.
Kolegji Penal ka vendosur që çështja të mos gjykohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke i dhënë fund debatit për kompetencën mes dy institucioneve.
Dosja lidhet me një kontroll policor të zhvilluar në maj të vitit 2022 në hotelin “Zeus Garden”, ku dyshohej se qëndronte Martinaj. Gjatë operacionit u sekuestruan armë, municione, jelekë me mbishkrimin “Policia”, pranga dhe pajisje të tjera që u bënë pjesë e hetimit.
Një nga elementët më të rëndësishëm të dosjes mbetet ekspertiza e ADN-së, sipas së cilës materiali biologjik i gjetur në disa prej sendeve të sekuestruara rezulton i përputhshëm me profilin gjenetik të Martinajt.
Pavarësisht argumenteve se çështja mund të lidhej me hetime të tjera të SPAK për grup të strukturuar kriminal, Gjykata e Lartë vlerësoi se në këtë procedim nuk ekziston një akuzë e tillë e ngritur zyrtarisht nga prokuroria. Për këtë arsye, dosja do të vijojë gjykimin në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Vendimi nuk ka të bëjë me fajësinë apo pafajësinë e të pandehurve, por vetëm me përcaktimin e gjykatës që do të shqyrtojë çështjen në vijim.
