Macron zbut qëndrimin për Ngushticën e Hormuzit pas deklaratave të Trump

Data

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka zbutur qëndrimin e tij lidhur me përfshirjen në operacionet ndërkombëtare në Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se Parisi është i gatshëm për bashkëpunim, por vetëm në kushte të caktuara.

Reagimi i tij vjen pas deklaratave të forta të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kritikoi refuzimin fillestar të Francës dhe madje la të kuptohet se mandati i Macron mund të përfundojë së shpejti.

Duke folur para kabinetit të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, Macron theksoi se Franca nuk është pjesë e konfliktit aktual dhe nuk do të angazhohet në operacione ushtarake për hapjen apo kontrollin e Ngushticës në këtë fazë të tensionuar.

“Megjithatë, sapo situata të qetësohet dhe bombardimet të jenë ndërprerë, do të jemi të gatshëm, së bashku me kombet e tjera, të marrim përgjegjësinë për një sistem shoqërimi”, deklaroi ai.

Macron nënvizoi se një operacion i tillë kërkon koordinim të gjerë politik, teknik dhe operacional, duke përfshirë aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë, si dhe sektorin e transportit detar dhe sigurimeve.

Ai bëri të ditur se diskutimet me partnerë të ndryshëm, përfshirë Indinë dhe vende të tjera evropiane e rajonale, kanë nisur tashmë për të krijuar një qasje të përbashkët.

Presidenti francez theksoi gjithashtu se çdo angazhim duhet të jetë i ndarë qartë nga operacionet luftarake dhe bombardimet në rajon, duke theksuar se prioriteti i Francës mbetet ulja e tensioneve dhe garantimi i stabilitetit.

Qëndrimi i ri i Macron sinjalizon një përpjekje për balancim mes presionit të aleatëve dhe nevojës për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit në një nga zonat më strategjike për tregtinë globale të energjisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related