Qeveria ka miratuar shpronësimin e pronarëve të pasurive që preken nga zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës, në kuadër të fazave të para të projektit. Sipas vendimit, kompensimi për pasuritë e llojit truall dhe ndërtesë arrin në rreth 25.1 milionë lekë.
Vendimi vjen ndërsa vijojnë punimet për zgjerimin e një prej akseve rrugore më të rëndësishme në vend. Deri tani janë hapur për qarkullim 6 kilometrat e para të segmentit të zgjeruar, ndërsa puna po vazhdon në fazën e tretë, e cila përfshin ndërtimin e nyjes lidhëse mes rrugës së Laknasit dhe autostradës.
Paralelisht, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tender me vlerë rreth 1.3 miliardë lekë për plotësimin e punimeve dhe përmirësimin estetik të aksit nga Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit.
Projekti parashikon gjelbërim të ri, sistem automatik ujitjeje, ndriçim LED, rehabilitim të shtresave asfaltike dhe përmirësim të sigurisë rrugore. Gjithashtu do të realizohen ndërhyrje në muret e nënkalimeve dhe në elementët dekorativë përgjatë segmentit.
Sipas autoriteteve, zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës mbetet një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, me synimin për të avancuar më tej punimet deri në zonën pranë Vorës.
