Pas debatit publik të ditëve të fundit lidhur me terapinë hormonale në QSUT, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka sqaruar se dokumenti i publikuar nuk përbën një protokoll përfundimtar terapeutik, por një udhëzues orientues klinik për profesionistët e shëndetësisë.
Zv.ministrja Eugena Tomini deklaroi se udhëzuesi është hartuar mbi bazën e rekomandimeve dhe praktikave ndërkombëtare, si dhe pas vlerësimeve të kryera nga një ekip multidisiplinar specialistësh.
Sipas saj, dokumenti synon të orientojë mjekët dhe profesionistët e shëndetësisë në procesin e vlerësimit dhe rekomandimit të terapisë hormonale për personat që referohen për këtë shërbim, por nuk rekomandon fillimin e trajtimit hormonal në moshë fëmijërore.
Tomini theksoi se udhëzuesi i referohet vetëm individëve adultë të këtij grupi, në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi dhe mbi bazën e pëlqimit të informuar të pacientit.
Në reagimin e saj, zv.ministrja hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se dokumenti përcakton skema financimi apo rimbursimi për medikamentet hormonale.
“Udhëzuesi nuk trajton dhe nuk përcakton skema rimbursimi. Ai përmban vetëm rekomandime të përgjithshme klinike dhe informacion mbi llojet e terapive hormonale, bazuar në praktikat ndërkombëtare”, sqaroi Tomini.
Deklarata e Ministrisë vjen pas reagimeve politike dhe publike mbi përmbajtjen e dokumentit, ku janë ngritur shqetësime lidhur me moshën e përfituesve dhe procedurat e aplikimit të terapisë hormonale në sistemin shëndetësor publik.
Sipas autoriteteve shëndetësore, çdo vendimmarrje klinike mbetet kompetencë e specialistëve dhe realizohet rast pas rasti, në përputhje me standardet profesionale dhe kuadrin ligjor në fuqi.
