Tregu i ndërtimit në Shqipëri po vijon të zgjerohet me ritme të shpejta gjatë vitit 2026, ndërsa paralelisht çmimet e apartamenteve mbeten në nivele rekord. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e parë të vitit janë miratuar 322 leje ndërtimi nga bashkitë e vendit, 24.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur u dhanë 258 leje.
Pjesa më e madhe e lejeve të reja janë për ndërtesa banimi, me 237 projekte të miratuara, ndërsa 85 leje të tjera i përkasin hoteleve, objekteve tregtare dhe industriale. Si pasojë, sipërfaqja totale ndërtimore është rritur në 377 mijë metra katrorë, nga 335 mijë metra katrorë një vit më parë.
Vlera e përgjithshme e projekteve të miratuara arrin në rreth 213 milionë euro, duke shënuar një rritje të lehtë prej 1.6% në raport me vitin e kaluar.
Megjithatë, pavarësisht vrullit të ndërtimeve, çmimet e banesave vijojnë të rriten. Sipas të dhënave të Banka e Shqipërisë, çmimet e apartamenteve u rritën me 36.3% gjatë vitit të kaluar, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë blerjen e një banese për familjet shqiptare.
Në këtë situatë, rreth 61% e banesave janë blerë përmes kredive bankare. Por gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, kreditimi për blerje banese ka shënuar rënie. Bankat kanë akorduar 212 milionë euro kredi, nga 240 milionë euro që ishin dhënë në të njëjtën periudhë të vitit 2025, ose 28 milionë euro më pak.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ndikim në këtë ulje kanë pasur masat kufizuese të vendosura për kreditimin, të cilat lidhen me të ardhurat e individëve dhe llojin e pronës që blihet.
Ndërkohë, kërkesa e lartë për prona në zonat turistike dhe bregdetare vijon të mbajë në rritje çmimet e tregut. Një rol të rëndësishëm në këtë tendencë po luajnë edhe blerësit e huaj, të cilët po investojnë gjithnjë e më shumë në apartamente dhe prona me vlerë të lartë në Tiranë dhe përgjatë vijës bregdetare shqiptare.
