Ish-kryeministri i Maqedonia e Veriut, Nikola Gruevski, ka marrë shtetësinë hungareze që në vitin 2022, një zhvillim që pritet të komplikojë ndjeshëm çdo përpjekje për ekstradimin e tij drejt Shkupit.
Lajmi është publikuar nga portali investigativ VSquare, i cili citon burime pranë qeverisë hungareze. Sipas raportimit, Gruevskit i është dhënë shtetësia e plotë për arsye që lidhen me “interesin shtetëror hungarez”, ndërsa ai vazhdon të jetojë në Budapest.
Sipas mediave hungareze, statusi i ri i jep ish-kryeministrit një mbrojtje shumë më të fortë ligjore sesa azili politik që mori pas arratisjes së tij në vitin 2018. Ndryshe nga azili, i cili mund të revokohet, heqja e shtetësisë konsiderohet një procedurë komplekse dhe shumë e vështirë për t’u realizuar.
Analistët vlerësojnë se për t’i hequr shtetësinë Gruevskit do të duhej të provohej se ajo është fituar përmes mashtrimit ose korrupsionit. Duke qenë se shtetësia është dhënë për arsye të interesit shtetëror, çdo hetim i mundshëm do të prekte nivelet më të larta të qeverisë hungareze.
Gruevski u arratis nga Maqedonia e Veriut në nëntor të vitit 2018, pak para nisjes së vuajtjes së një dënimi me dy vite burg në çështjen e njohur si “Tank”, që lidhej me blerjen e një automjeti luksoz të blinduar me vlerë rreth 600 mijë euro.
Sipas raportimeve të kohës, ai u largua nga vendi përmes Shqipërisë, më pas transit nëpër Mali i Zi dhe Serbia, përpara se të mbërrinte në Hungaria, ku më pas përfitoi azil politik nga qeveria e drejtuar nga Viktor Orbán.
Çështja e rikthimit të tij në Maqedoninë e Veriut vijon të mbetet temë debati politik. Kryeministri aktual, Hristijan Mickoski, deklaroi në prill se nuk pret kthimin e Gruevskit, por shtoi se nëse ai do të rikthehej, do të përballej me vuajtjen e dënimit.
Ndërkohë, vetë Gruevski ka këmbëngulur se proceset gjyqësore ndaj tij kanë qenë të motivuara politikisht dhe ka akuzuar autoritetet maqedonase për shkelje procedurale dhe manipulim të drejtësisë.
