Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë mbledhjes së kryesisë se Kuvendi Kombëtar i PD-së do të vendosë bazat për transformimin e partisë dhe rikthimin e saj si alternativë qeverisëse.
Sipas Berishës, misioni historik i demokratëve mbetet rikthimi i votës së lirë dhe largimi i qeverisë aktuale.
“PD do të arrijë atë transformim të domosdoshëm për të përmbushur misionin historik të saj, dhe misioni historik i PD është rikthimi i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë dhe rikthimi i PD në pushtet”, u shpreh Sali Berisha.
Ai theksoi se partia do të fokusohet te organizimi në bazë, duke e cilësuar PD-në si “parti të seksionit”.
“Ne jemi parti e territorit, pra jemi parti e seksionit. Përparësi absolute merr themeli, i cili është seksioni”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, procesi i ripërtëritjes së partisë do të shoqërohet me anëtarësime të reja dhe me heqjen e barrierave që pengojnë afrimin e demokratëve të rinj.
Gjatë fjalës së tij, lideri demokrat akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama për standarde të dyfishta në raport me integrimin europian dhe zhvillimet politike në vend.
Berisha përmendi dekorimin e babait të biznesmenit Ergys Agasi dhe të ish-deputetit Jurgis Çyrbja, duke pretenduar se këto veprime bien ndesh me deklaratat pro integrimit europian të qeverisë.
“Edi Rama paradite dekoron të atin e Ergys Agasit dhe pasdite në Bruksel deklaron se jemi fanatikë të BE-së”, tha ai.
Kreu i PD-së u ndal edhe te çështja e zgjedhjeve, duke deklaruar se vota e shqiptarëve është kthyer në një çështje ndërkombëtare.
“Ne themi me bindje të plotë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje”, u shpreh Berisha, duke shtuar se opozita ka të drejtë të ndërmarrë çdo veprim demokratik për largimin e qeverisë.
Në vijim, Sali Berisha sulmoi mediat që, sipas tij, janë të lidhura me pushtetin dhe që kanë shpallur “luftë” ndaj opozitës.
“Kjo mafie e fjalës së lirë është shndërruar në zëdhënësen më agresive të mafies shtetërore”, deklaroi ai.
Duke komentuar procesin e integrimit europian, Berisha tha se Bashkimi Europian po mban një qasje tolerante ndaj qeverisë shqiptare për arsye gjeopolitike, ndonëse sipas tij Shqipëria nuk po përmbush standardet demokratike.
