Shpërthimi i Ebolës në Kongo alarmon rajonin, mbi 1 mijë raste të dyshuara! Uganda mbyll kufijtë për një muaj

Data

Shpërthimi i virusit Ebola në Republika Demokratike e Kongos po merr përmasa shqetësuese, ndërsa autoritetet shëndetësore raportojnë mbi 1 mijë raste të dyshuara dhe frikë në rritje për përhapje rajonale.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Kinshasa, deri tani janë regjistruar të paktën 1,077 raste të dyshuara, nga të cilat 121 janë konfirmuar laboratorikisht. Autoritetet kanë raportuar 17 viktima, por paralajmërojnë se numri real i vdekjeve mund të jetë më i lartë për shkak të vonesave në diagnostikim.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin se epidemia mund të jetë më e përhapur sesa tregojnë shifrat zyrtare. Sipas OBSH-së, shpërthimi në provincën Ituri, pranë kufirit me Uganda dhe Sudani i Jugut, u identifikua vetëm disa javë pasi kishte nisur, ndërsa konfliktet e armatosura në zonë po pengojnë ndërhyrjen e ekipeve mjekësore.

Ndërkohë, Uganda ka konfirmuar shtatë raste të lidhura me epideminë në lindje të Kongos, si dhe një viktimë. Për të frenuar përhapjen e virusit, autoritetet ugandase kanë vendosur mbylljen e kufirit me Kongon për të paktën një muaj.

Përjashtim do të bëhet vetëm për personelin shëndetësor, misionet humanitare dhe transportin e ndihmave ushqimore. Çdo person që hyn nga Kongoja do t’i nënshtrohet një karantine 21-ditore.

Edhe Shtetet e Bashkuara kanë shtuar masat parandaluese. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA “nuk do të lejojë asnjë rast të vetëm të Ebolës” të hyjë në territorin amerikan. Mediat ndërkombëtare raportojnë se Uashingtoni po shqyrton ngritjen e një qendre karantine në Kenia për shtetasit amerikanë që largohen nga rajoni.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, pritet të mbërrijë në Republikën Demokratike të Kongos për të koordinuar nga afër përgjigjen ndaj emergjencës.

Virusi Ebola transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me persona të infektuar ose lëngje trupore dhe shkakton ethe hemorragjike me shkallë të lartë vdekshmërie. Shpërthimi aktual lidhet me variantin Budibugyo, për të cilin ende nuk ekziston vaksinë apo trajtim specifik.

Sipas OBSH-së, Ebola ka shkaktuar mbi 15 mijë viktima në Afrikë gjatë pesë dekadave të fundit. Epidemia më e rëndë në Kongon lindore, mes viteve 2018-2020, mori jetën e rreth 2,300 personave.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related