“Shqipëria qeveriset nga një çetë kusarësh”, Xhixho: Përmbytjet zbulojnë projekte fasadë dhe inceneratorin fantazmë

Data

Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ashpër pas situatës së krijuar nga përmbytjet në disa zona të vendit, duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim, korrupsion dhe braktisje të qytetarëve.

Sipas Xhixhos, përmbytjet dhe dëmtimet e rënda të infrastrukturës janë prova se miliona euro investime publike nuk janë përdorur për mbrojtjen e qytetarëve, por kanë përfunduar në interesa klienteliste. Ajo thekson se banorët e prekur janë lënë të izoluar, pa ndihmë dhe pa zgjidhje.

Në një reagim në rrjetet sociale, Xhixho e krahasoi situatën aktuale me çështjen e inceneratorit fantazmë dhe funksionimin e hidrovoreve, duke deklaruar se paratë publike janë shpenzuar për projekte fasadë dhe jo për investime reale që parandalojnë përmbytjet.

“Përmbytjet e ditëve të fundit tregojnë qartë se paratë kanë shkuar në xhepat e qeverisë dhe oligarkëve që ajo mban rreth vetes. Sot qindra shtëpi janë të izoluara, mijëra hektarë tokë janë nën ujë dhe infrastruktura është dëmtuar, ndërsa qytetarët janë lënë në mëshirë të fatit,” shprehet ajo.

Xhixho shton se miliona euro janë hedhur në projekte që, sipas saj, janë ndërtuar për të vjedhur dhe jo për të mbrojtur qytetarët nga fatkeqësitë natyrore. Ajo akuzon qeverinë se ka ndjekur të njëjtin model si në rastin e inceneratorëve, duke e quajtur atë një skemë që “djeg paratë e shqiptarëve”.

Në deklaratën e saj, Xhixho e mbyll reagimin me tone të ashpra politike, duke thënë se Shqipëria qeveriset nga një grup që nuk u shërben qytetarëve dhe se përgjegjësia kryesore, sipas saj, qëndron tek kryeministri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related