Analisti Gentian Gaba: Raporti i IBAR dhe SPAK mund të reformojnë politikën shqiptare, por PD ka humbur raportin me zgjedhjet

Data

Analisti Gentian Gaba ka deklaruar se raporti i fundit i IBAR-it nga Bashkimi Europian dhe reforma në drejtësi përfaqësojnë instrumentet kryesore që mund të ndikojnë në reformimin e politikës shqiptare dhe rikthimin e besimit te zgjedhjet.

I ftuar në një emision televiziv, Gaba u shpreh se opozita duhet ta shfrytëzojë raportin e BE-së si një plan konkret pune për të adresuar problemet që lidhen me zgjedhjet, korrupsionin dhe funksionimin e demokracisë në vend.

“Sot kemi një raport IBAR që na ka dhënë detyra shtëpie shumë të rëndësishme dhe nëse opozita arrin ta kthejë në raport pune, mund të përmirësojmë gjendjen e zgjedhjeve dhe luftën ndaj korrupsionit”, tha ai.

Sipas analistit, zhvillimet e fundit brenda Partia Demokratike e Shqipërisë tregojnë se brenda partisë ekziston një konsensus për vijimin e drejtimit aktual, pavarësisht zërave kritikë si ai i Ervin Salianji.

Megjithatë, ai theksoi se opozita duhet të reflektojë mbi cilësinë e zgjedhjeve dhe mënyrën se si funksionon demokracia e brendshme.

“Problemi i PD-së, por edhe i politikës shqiptare në përgjithësi, është se kemi humbur raportin me zgjedhjet”, u shpreh Gaba.

Ai argumentoi se zgjedhjet në Shqipëri kanë pasur gjithmonë problematika, por sipas tij ato janë përkeqësuar vitet e fundit për shkak të patronazhimit, përdorimit të administratës dhe ndikimit të krimit në procese elektorale.

Analisti e lidhi krizën aktuale të opozitës edhe me mungesën e rotacionit politik pas zgjedhjeve të vitit 2021 dhe zhvillimeve që pasuan më vonë me përçarjet në PD dhe shpalljen “non grata” të Sali Berisha.

Gaba theksoi se tashmë Shqipëria ndodhet në një situatë të re politike, ku SPAK dhe kushtëzimet e Bashkimit Europian mund të ndikojnë drejtpërdrejt në reformimin e partive politike dhe në forcimin e demokracisë.

Sipas tij, një nga problemet kryesore të shoqërisë shqiptare mbetet kultura politike e ndërtuar mbi kultin e individit.

“Nuk është vetëm problem i partive, por edhe i një mendësie që ende nuk e kemi tejkaluar në shoqëri”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related