Kreu i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, duke akuzuar mediat pranë qeverisë se janë kthyer në “mafia e fjalës së lirë” dhe se po zhvillojnë një luftë të hapur kundër opozitës.
Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se opozita do t’i përgjigjet “dhëmb për dhëmb” çdo sulmi politik dhe mediatik.
“Ne kemi një problem madhor me të cilin do përballemi dhëmb për dhëmb, mafia e fjalës së lirë”, u shpreh ai.
Sipas Berishës, një pjesë e mediave janë shndërruar në zëdhënëse të qeverisë dhe po manipulojnë opinionin publik duke deformuar kuptimin e demokracisë dhe referendumit brenda Partisë Demokratike.
“Kjo mafie de facto i ka shpallur luftë opozitës dhe mban ndaj saj qëndrimet më armiqësore”, tha Berisha.
Ai akuzoi mediat se nuk raportojnë mbi atë që i konsideron skandale të qeverisë së Edi Rama, ndërsa kritikoi ashpër mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar referendumi i zhvilluar në PD.
Berisha pretendoi se media “ka korruptuar fjalën shqipe” duke e paraqitur procesin e referendumit si një akt “stalinist” apo “enverist”.
Gjatë fjalës së tij, lideri demokrat përmendi edhe çështje të tjera që, sipas tij, janë anashkaluar nga mediat, përfshirë dekorime zyrtarësh dhe mënyrën e trajtimit të tij në proceset gjyqësore.
Ai e cilësoi përdorimin e kafazit të qelqtë në sallat e gjyqit si një praktikë “jashtë çdo standardi europian”.
Deklaratat e Berishës vijnë në një moment tensionesh të brendshme në PD, pas debatit mbi ndryshimet statutore dhe lëvizjeve të ish-deputetit Ervin Salianji me strukturat demokrate në disa qytete të vendit.
