Ervin Salianji nxjerr “letrat e zeza” dhe sulmon farsën në PD: Berisha humbi mijëra votues, partia po mbahet peng për pazare me Ramën

Data

Ish-deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Ervin Salianji, ka shpërthyer me akuza të forta ndaj procesit të zgjedhjes së kreut të PD-së, duke e cilësuar votimin e 23 majit si një “farsë” dhe duke vënë në dyshim legjitimitetin e drejtimit të Sali Berisha.

Në një konferencë për mediat, Salianji deklaroi se kandidaturat alternative janë penguar në mënyrë direkte dhe indirekte, ndërsa procedurat janë zhvilluar jashtë çdo standardi demokratik dhe statutor.

“Çdo vendimmarrje e marrë nga Sali Berisha ligjërisht është nul. U shpik një term referendum që nuk ekziston askund. Në vend që PD të hapej, u zgjodh rruga e mbylljes për interesa personale”, deklaroi ai.

Salianji akuzoi drejtimin aktual të PD-së se po përdor partinë për interesa individuale dhe jo për ndërtimin e një opozite funksionale.

Sipas tij, demokratët kanë bojkotuar masivisht procesin, ndërsa pjesëmarrja reale në votim ka qenë shumë më e ulët nga sa është pretenduar publikisht.

“Nuk kanë marrë pjesë më shumë se 5 mijë anëtarë në të gjithë Shqipërinë. Demokratët e kanë braktisur këtë farsë”, tha Salianji.

Ai shtoi se problemi në PD nuk lidhet vetëm me një individ, por me një model politik që nuk lejon qarkullimin e elitave dhe mendimin ndryshe.

“Kemi nevojë për një Parti Demokratike ku gara të jetë reale dhe askush të mos jetë mbi statutin”, u shpreh ish-deputeti.

Në deklaratën e tij, Salianji sulmoi edhe raportin mes Berishës dhe kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se ekziston një bashkëjetesë politike që mban peng opozitën.

“Berisha është kamerdarja e shpëtimit të Edi Ramës”, deklaroi ai.

Salianji paralajmëroi se nëse PD vazhdon të identifikohet vetëm me konfliktin dhe hakmarrjen politike, do ta ketë të pamundur të fitojë mbështetjen e elektoratit gri dhe të rikthehet si alternativë qeverisëse.

“Vetëm duke pranuar pluralizmin brenda vetes, PD mund të bindë shqiptarët se është gati të qeverisë”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related