Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për mashtrime dhe përpjekje për të shmangur përgjegjësitë e qeverisë.
Sipas Këlliçit, Rama po përpiqet të relativizojë disa çështje të rëndësishme për vendin përmes një “monologu që është e kundërta e transparencës”.
Deputeti demokrat përmendi tre çështje kryesore që, sipas tij, kryeministri po i paraqet në mënyrë të pasaktë: rritjen e çmimeve të karburanteve, projektin e Portit të Durrësit dhe situatën e Shqipërisë në raport me Bashkimin Evropian.
Sa i përket çmimit të karburanteve, Këlliçi tha se qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të mbrojtur qytetarët, ndryshe nga vendet e rajonit që sipas tij kanë ulur taksat ose tarifat për të lehtësuar ekonominë familjare.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si po trajtohet projekti i Portit të Durrësit, duke e cilësuar atë një aferë të dyshimtë që, sipas tij, po i kushton rëndë Shqipërisë dhe po rrezikon funksionimin e Korridorit 8.
Në reagimin e tij, Këlliçi u ndal edhe te çështja e korrupsionit dhe integrimit europian, duke deklaruar se Shqipëria është bërë “delja e zezë e Europës” për shkak të korrupsionit dhe jo për shkak të masave të arrestit.
Sipas tij, shqyrtimi i raportit për Shqipërinë në lidhje me kapitullin e shtetit ligjor është shtyrë për shkak të situatës së krijuar rreth institucioneve të drejtësisë.
Në fund të reagimit, Këlliçi u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 22 mars, duke e cilësuar atë një betejë për të dalë nga kriza që, sipas tij, po kalon vendi.
