Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, ka komentuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama se po pengon reformat reale që kërkon Brukseli.
I ftuar në një studio televizive, Bumçi deklaroi se raporti i fundit i Bashkimit Europian evidenton probleme të rënda në Shqipëri, sidomos në çështjet e pronësisë, drejtësisë dhe demokracisë funksionale.
Sipas tij, raporti “flet me gjuhën e opozitës”, pasi pasqyron shqetësimet që opozita ka ngritur prej vitesh.
“Pa largimin e Edi Ramës nuk ka integrim real. Është ose BE-ja, ose kjo qeverisje”, deklaroi Bumçi.
Ai u ndal te problematika e pronave, duke theksuar se raporti kritikon:
- moszbatimin e vendimeve të gjykatave shqiptare dhe të Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut,
- mungesën e regjistrimit fillestar të pronave,
- mungesën e transparencës për hartën digjitale kadastrale,
- si dhe kompensimin jo sipas vlerës reale të tregut.
Bumçi kritikoi gjithashtu ligjin për investimet strategjike, duke e cilësuar atë si cenim të pronës private.
“Në këtë vend nuk ka siguri për titullin e pronësisë dhe shteti nuk zbaton vendimet e gjykatave”, tha ai.
Ish-ministri u ndal edhe te sistemi i drejtësisë, duke përmendur kritikat që raporti adreson ndaj institucioneve si:
- Këshilli i Lartë Gjyqësor,
- dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Sipas tij, raporti evidenton probleme me integritetin e emërimeve, mungesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe numrin e lartë të çështjeve të pambyllura.
Ai deklaroi se në sistemin gjyqësor shqiptar ka rreth 150 mijë çështje të mbartura dhe problem serioz mbetet moszbardhja në kohë e vendimeve gjyqësore.
“Nuk mund të bësh apel kur vendimi nuk zbardhet. Këto janë gjëra të paimagjinueshme për një vend të Bashkimit Europian”, u shpreh Bumçi.
Në fund, ai foli edhe për opozitën, duke deklaruar se tentativat për ta dobësuar dhe izoluar politikisht kanë dështuar.
Sipas Bumçit, opozita shqiptare ka mbijetuar pavarësisht presioneve politike dhe sot zëri i saj po dëgjohet në Europë.
