Edi Rama: Transformimi digjital përshpejtoi integrimin në BE, ndërsa çështja e pronës mbetet sfida më e ndjeshme në Shqipëri

Data

Kryeministri Edi Rama deklaroi se transformimi digjital ka qenë një faktor kyç për avancimin e shpejtë të Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Deklaratat u bënë gjatë konferencës rajonale për transformimin digjital, sigurinë juridike të pronës dhe integrimin europian, e zhvilluar në Tiranë.

Sipas Ramës, konferenca përkon me një moment të rëndësishëm për vendin, pasi Shqipëria po mbyll fazën e parë të negociatave me Bashkimi Europian dhe po hyn në fazën e mbylljes së kapitujve të negociatave.

Kryeministri theksoi se përmbushja e piketave të ndërmjetme dhe përcaktimi i objektivave përfundimtarë janë elementë thelbësorë, veçanërisht për grupkapitujt themelorë të negociatave.

“Transformimi digjital është një element përcaktues sa i përket ritmit dhe shpejtësisë së procesit. Për vende si i yni, teknologjia e re na ka sjellë një bekim të ri dhe na ka lejuar të bëjmë hapa që nuk do t’i bënim dot”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se teknologjia ka krijuar mundësi të reja zhvillimi dhe ka ndihmuar administratën shqiptare të kalojë nga një model tradicional drejt një sistemi më modern dhe efikas.

Në fjalën e tij, Edi Rama u ndal edhe te çështja e pronës, të cilën e cilësoi si një nga temat më të ndërlikuara në Shqipëri dhe rajon.

Sipas tij, vështirësitë lidhen me trashëgiminë e sistemit komunist, ku prona ishte tërësisht shtetërore, si dhe me tranzicionin pas viteve ’90, kur shteti humbi kontrollin mbi territorin dhe vendi përjetoi ndryshime të mëdha demografike.

“Kalimi nga një vend me pronë tërësisht shtetërore në një fazë ku shteti humbi kontrollin mbi territorin ndikoi drejtpërdrejt në perceptimin dhe administrimin e pronës”, deklaroi kryeministri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related