AFP: Rama përdori shumicën parlamentare për të bllokuar arrestimin e aleates së tij Belinda Balluku

Data

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Agence France-Presse (AFP) i ka kushtuar vëmendje vendimit të Kuvendit të Shqipërisë për të rrëzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku.

Sipas raportimit të AFP, Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama përdori shumicën parlamentare për të bllokuar kërkesën e prokurorëve, duke penguar për momentin arrestimin e ish-zëvendëskryeministres para gjyqit.

Agjencia e përshkruan këtë zhvillim si pjesë të një skandali korrupsioni që ka shkaktuar tensione politike dhe protesta në Tiranë.

Sipas raportimit, ligjvënësit shqiptarë refuzuan kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut, e cila do të kishte hapur rrugën për paraburgimin e saj përpara nisjes së procesit gjyqësor.

Megjithatë, AFP thekson se votimi në parlament nuk e ndalon vazhdimin e procesit gjyqësor ndaj saj, por vetëm pengon arrestimin e saj në këtë fazë.

Në artikull kujtohet gjithashtu se Balluku, 53 vjeç, ka mbajtur postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë që nga viti 2019 dhe u emërua zëvendëskryeministre në vitin 2022.

Sipas prokurorëve të posaçëm kundër korrupsionit, ajo dyshohet për favorizim në dhënien e tenderëve për dy projekte ndërtimi në Tiranë me vlerë qindra milionë euro, duke i dhënë sipas akuzës një “avantazh të pajustifikuar” njërit prej operatorëve.

Balluku i ka mohuar akuzat, ndërsa kryeministri Rama ka minimizuar vazhdimisht pretendimet për korrupsion. Gjykata më herët kishte vendosur masën e pezullimit nga detyra dhe ndalimin e daljes së saj jashtë Shqipërisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related