Policia e Shtetit në gatishmëri për sezonin turistik dhe sigurinë në shkolla, drejtori Skender Hita takim me strukturat në Kukës dhe Dibër

Data

Drejtori i Përgjithshëm i Policia e Shtetit, Skender Hita, zhvilloi takime me strukturat policore në qarqet Kukës dhe Dibër, ku në fokus ishin sezoni turistik, siguria në shkolla, siguria rrugore, parandalimi i zjarrvënieve dhe lufta kundër paligjshmërisë.

Takimet u mbajtën me drejtues dhe efektivë të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Kukës, Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe strukturave kufitare të qarkut Dibër.

Gjatë diskutimeve, drejtori Hita kërkoi:

  • disiplinë dhe performancë më të lartë në terren,
  • reagim të shpejtë ndaj problematikave të qytetarëve,
  • monitorim të konflikteve dhe situatave me risk,
  • si dhe rritje të cilësisë së shërbimit policor.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua:

  • goditjes së armëmbajtjes pa leje,
  • luftës ndaj shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave,
  • kapjes së personave në kërkim,
  • parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike,
  • si dhe goditjes së lojërave të fatit, krimeve ekonomike dhe trafiqeve të paligjshme.

Sa i përket sigurisë në shkolla, Skender Hita kërkoi prezencë më të madhe policore deri në përfundim të vitit shkollor dhe përdorimin e agjentëve të Policisë Kriminale për të parandaluar afrimin e elementëve kriminalë pranë institucioneve arsimore.

Në drejtim të sigurisë rrugore, ai kërkoi:

  • monitorim intensiv me mjete inteligjente,
  • shmangie të ndalesave pa shkak,
  • reduktim të kontaktit verbal mes policisë rrugore dhe drejtuesve të mjeteve,
  • si dhe ndëshkim të shkeljeve përmes teknologjisë.

Gjithashtu, ai kërkoi masa të forta ndaj parkimeve të gabuara, manovrave të rrezikshme në rrugë dhe automjeteve që krijojnë ndotje akustike me marmita të modifikuara.

Siguria e turistëve dhe menaxhimi i fluksit në pikat kufitare ishin po ashtu pjesë e porosive të kreut të policisë, i cili kërkoi shtim sportelesh dhe komunikim korrekt me qytetarët dhe turistët.

Në lidhje me sezonin veror dhe rrezikun e zjarreve, Hita kërkoi bashkëpunim me njësitë administrative dhe monitorim të personave që kanë shkaktuar zjarrvënie në vitet e kaluara.

Në përfundim, drejtori i përgjithshëm theksoi se do të mbështesë çdo efektiv të ndershëm të policisë, ndërsa paralajmëroi masa të ashpra ndaj kujtdo që abuzon me detyrën dhe besimin e qytetarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related