Ish-deputeti i Partia Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar lidhur me procesin për zgjedhjen e kryetarit të partisë, duke kritikuar kandidimin pa rivalë të Sali Berisha për drejtimin e PD-së.
Në një reagim publik, Salianji rikujtoi një deklaratë të mëparshme të Berishës, ku ai ishte shprehur se “turpi i historisë i mbuloftë ata që mbrojnë zgjedhjet me një kandidat”.
Salianji tha se në atë kohë kishte qenë dakord me këtë qëndrim, por sipas tij, sot vetë Berisha po vepron në të kundërtën duke kandiduar pa garë përballë anëtarësisë së partisë.
“Kush i shmanget garës dhe kërkon unanimitet të imponuar, nuk kërkon demokraci, por nënshtrim”, deklaroi Salianji.
Ai shtoi se demokracia matet përmes pranimit të garës dhe mendimit ndryshe, ndërsa akuzoi drejtimin aktual të PD-së se po synon ruajtjen e interesave personale dhe jo rotacionin politik.
Sipas Ervin Salianji, për herë të parë në historinë politike të Partia Demokratike, Berisha po shmang përballjen në një garë të hapur për drejtimin e partisë.
Zgjedhjet për kreun e PD-së janë parashikuar të mbahen më 23 maj, ndërsa deri tani Sali Berisha mbetet kandidati i vetëm në garë.
