Ka nisur zyrtarisht procedura për krijimin e Banka Shqiptare e Zhvillimit, institucioni i parë financiar zhvillimor me kapital 100 për qind shtetëror në Shqipëri.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur procedurën e prokurimit për përzgjedhjen e një kompanie konsulente ndërkombëtare, e cila do të asistojë në hartimin e kuadrit strategjik, institucional dhe operacional të bankës së re.
Sipas autoriteteve, procedura synon të tërheqë kompani me eksperiencë në ngritjen dhe funksionalizimin e institucioneve financiare zhvillimore, me qëllim që banka të bëhet funksionale në një afat sa më të shkurtër.
Projekti konsiderohet një nga nismat më të rëndësishme financiare të viteve të fundit, pasi synon krijimin e një instrumenti shtetëror për mbështetjen e ekonomisë dhe sipërmarrjes.
Banka Shqiptare e Zhvillimit pritet të fokusohet kryesisht në:
- financimin e bizneseve të vogla dhe të mesme,
- mbështetjen e investimeve zhvillimore,
- zgjerimin e aksesit në shërbime financiare,
- si dhe krijimin e mekanizmave financues me kushte lehtësuese.
Një pjesë e rëndësishme e projektit parashikon përdorimin e rrjetit të Posta Shqiptare për ofrimin e shërbimeve financiare në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në zonat ku shërbimet bankare janë më të kufizuara.
Edhe pse si shoqëri aksionare banka nuk kishte detyrim ligjor për të zhvilluar procedurat përmes organit qendror blerës, drejtuesit kanë zgjedhur që procesi të administrohet nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, në funksion të transparencës dhe standardeve procedurale.
Me hapjen e procedurës së konsulencës ndërkombëtare, projekti hyn tashmë në fazën konkrete të zbatimit, ndërsa qeveria synon që institucioni i ri të shërbejë si një instrument i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e sipërmarrjes në Shqipëri.
