Tensionet mes kompanive të lidhura me Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi për administrimin dhe punimet në Aeroporti i Vlorës vijojnë edhe në ditën e gjashtë.
Nënkontraktorët e kompanisë “Mabco”, e lidhur me Pacollin, janë mbledhur sërish përpara hyrjes së kantierit, duke pretenduar se po pengohen të vazhdojnë punimet në aeroport.
Nga ana tjetër, kompania “2A Group” e Valon Ademit argumenton se çështja ndodhet në proces gjyqësor dhe se administrimi i projektit po trajtohet nga organet kompetente.
Më herët, për situatën reagoi edhe Ministria e Infrastrukturës, duke paralajmëruar se konflikti mes palëve po sjell pasoja serioze për përfundimin e projektit strategjik.
“Çdo ditë vonesë ose bllokim përkthehet drejtpërdrejt në humbje ekonomike të matshme për operatorët turistikë, komunitetin lokal dhe buxhetin e shtetit”, deklaroi Karakaçi.
Sipas raportimeve, përplasja mes dy biznesmenëve ka nisur që në vjeshtën e vitit 2025, pas mosmarrëveshjeve për administrimin e kompanisë VIA dhe ndryshimin e aksioneve mes palëve.
Konflikti lidhet edhe me një kredi prej 100 milionë eurosh të marrë nga “Mabco” pranë fondit “Delphos”, ndërsa çështja është shoqëruar me procese të shumta gjyqësore.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime ndaj Behgjet Pacolli, vëllait të tij Emin Pacolli dhe administratorit Nelson Çela për vepra që lidhen me mashtrimin dhe falsifikimin e dokumenteve.
