Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti tragjik i ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Mengël të Elbasan, ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar pasi u përplas nga një automjet.
Sipas dëshmive të banorëve të zonës, drejtuesi i mjetit, një 61-vjeçar me inicialet P.B., ka deklaruar menjëherë pas ngjarjes se po lëvizte me shpejtësi shumë të ulët.
“Ai tha se ishte duke ecur me 10 km në orë. Tha: ‘Jam duke ecur në rrugë nacionale, kam të drejtën time, isha me 10 km/h’”, tregoi një banor për mediat.
Banorët e zonës pretendojnë se automjeti lëvizte me shpejtësi të lartë dhe se segmenti rrugor është bërë tepër i rrezikshëm, ku sipas tyre kanë ndodhur edhe aksidente të tjera.
Pas përplasjes, banorët ndërhynë për të nxjerrë fëmijën nga automjeti, ndërsa ai u transportua me mjete private drejt spitalit. Fatkeqësisht, i mituri nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit fatal.
