Deputetja e Partia Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër ndaj përfshirjes së Sarandës në të ashtuquajturën “Paketa e Maleve”.
Sipas Zhupës, kjo paketë nuk ka më lidhje me zhvillimin e zonave malore, por po përdoret si mekanizëm për tjetërsimin e pronave publike dhe private në zonat bregdetare.
Deputetja demokrate deklaroi se në Sarandë janë dhënë pesë investime strategjike dhe përmendi edhe rastin që ajo e quajti “pika e vogël” e ministres Mirela Kumbaro në zonën e Manastirit.
“Tanimë e kanë përfshirë Sarandën në Paketën e Maleve për të dhuruar toka publike apo private. Kjo tregon qartë se kjo paketë nuk ka lidhje me rivitalizimin e maleve, por me gllabërimin e pronës”, u shpreh Zhupa.
Ajo theksoi se Saranda është një ndër qytetet me potencialin më të madh turistik në vend dhe se zhvillimi duhet të mbështetet tek biznesi i ndershëm dhe investimet e qytetarëve vendas.
“Saranda është një perlë dhe duhet të zhvillohet nga njerëzit punëtorë që investojnë në tokat e tyre, jo përmes strategjive të vjedhjes dhe tjetërsimit të pronës publike e private”, deklaroi deputetja e PD-së.
