Deputetja e Partia Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se procesi i integrimit europian mbetet mekanizmi më i rëndësishëm për të ushtruar presion ndaj mazhorancës dhe për të frenuar përqendrimin e pushtetit.
Në një intervistë televizive, Tabaku komentoi hapjen e grup-kapitujve nga Bashkimi Europian dhe ndikimin që negociatat pritet të kenë mbi legjislacionin shqiptar.
Sipas saj, me avancimin e procesit të integrimit, Shqipëria do të jetë nën monitorim më të fortë nga institucionet europiane dhe nuk do të mund të miratojë ligje që bien ndesh me standardet e BE-së.
Deputetja demokrate solli si shembull ligjin për koncesionin e porteve të jahteve, duke theksuar se ai prek kapitullin e prokurimit publik dhe bie në kundërshtim me legjislacionin europian.
“Ligji i investimeve strategjike, ligji i shoqërive aksionare apo ai për zonat e mbrojtura nuk janë as në frymë dhe as në gërmë të legjislacionit të Bashkimit Europian. Tani çdo gjë do të ketë një analizë tjetër”, u shpreh Jorida Tabaku.
Ajo theksoi se procesi i integrimit është rruga e vetme për të garantuar më shumë kontroll institucional dhe për të ulur arrogancën e qeverisë.
“Shoh procesin e integrimit si të vetmin presion ku mund të ushtrojmë presion mbi mazhorancën dhe të ulim përqendrimin e pushtetit. Nuk ka mënyrë tjetër”, deklaroi deputetja.
Në fund, Tabaku komentoi edhe bashkëpunimin mes Partia Demokratike dhe Partia Socialiste për miratimin e rezolutës së integrimit dhe ndryshimet në rregulloren parlamentare, duke thënë se opozita dha dakordësinë për shkak të rëndësisë së procesit të integrimit dhe miratimit të IBAR-it.
