FBI ka konfirmuar se llogaria personale e email-it të drejtorit të saj, Kash Patel, është komprometuar nga një grup hakerësh i lidhur me Iranin.
Sipas njoftimit zyrtar, materiali i aksesuar nga hakerët është “historik” dhe nuk përfshin informacione të klasifikuara apo të dhëna qeveritare sensitive.
Grupi i njohur si “Handala Hack Team” ka publikuar online disa emaile, foto dhe një CV të pretenduar të Patel, duke kërcënuar me publikime të tjera. Në deklaratat e tyre, ata pretendojnë se kanë arritur të depërtojnë në sistemet e lidhura me FBI-në, edhe pse autoritetet amerikane nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë.
FBI theksoi se po heton incidentin dhe ka vendosur një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione që çojnë në identifikimin e anëtarëve të këtij grupi.
Ky nuk është rasti i parë që Kash Patel bëhet objektiv i sulmeve kibernetike të lidhura me Iranin. Ai ishte shënjestruar edhe në vitin 2024, para emërimit në krye të FBI-së.
Ndërkohë, autoritetet amerikane kanë ndërmarrë hapa kundër aktivitetit të këtij grupi, duke sekuestruar disa faqe dhe domene që dyshohet se janë përdorur për propagandë dhe operacione kibernetike.
Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se sulme të tilla synojnë jo vetëm mbledhjen e informacionit, por edhe ndikimin psikologjik dhe propagandistik, veçanërisht në periudha tensionesh ndërkombëtare.
