Kryetari i Partia Demokratike, Sali Berisha, akuzoi mediat pranë qeverisë se kanë censuruar dhe manipuluar raportin e 21 majit të IBAR, duke deklaruar se dokumenti i miratuar nga COELA pasqyron problematikat kryesore të qeverisjes në Shqipëri dhe një qasje më të ashpër të Bashkimi Europian ndaj vendit.
Gjatë një konference për mediat, Berisha tha se raporti i miratuar më 21 maj përmban 32 ndryshime të rëndësishme krahasuar me draftin e shkurtit, ku sipas tij 14 janë shtesa të reja që forcojnë kërkesat për demokracinë, drejtësinë, zgjedhjet dhe luftën kundër korrupsionit.
Sipas tij, një nga ndryshimet më domethënëse është heqja e seksioneve pozitive mbi progresin e Shqipërisë në draftin paraprak.
“Tre faqe me narrativë progresi janë hequr dhe dokumenti nis direkt me kërkesat ndaj standardeve. Është eliminuar narrativa e progresit të Shqipërisë”, deklaroi Sali Berisha.
Ai e interpretoi këtë si një sinjal politik nga BE-ja se qeveria shqiptare nuk gëzon më të njëjtin nivel besimi në procesin e integrimit europian.
Berisha u ndal edhe te pjesa e raportit që lidhet me procesin zgjedhor, duke theksuar se për herë të parë përmenden rrjetet e patronazhimit dhe nevoja për garë të barabartë zgjedhore.
“BE godet për herë të parë rrjetet e patronazhimit. Është kritikë direkte ndaj qeverisë dhe patronazhistëve elektoralë”, u shpreh kreu i opozitës.
Ai shtoi se raporti ka ashpërsuar gjuhën edhe ndaj ndërhyrjeve politike në drejtësi, duke përmendur në mënyrë eksplicite edhe SPAK.
Sipas Berishës, ndryshe nga drafti i shkurtit, dokumenti i majit shpreh “keqardhje” për përpjekjet e zyrtarëve të lartë për të ndikuar mbi drejtësinë dhe kërkon mbrojtje më të fortë të punës së SPAK-ut.
Kreu demokrat deklaroi gjithashtu se raporti përdor për herë të parë termin “shqetësim vendimtar” për korrupsionin në Shqipëri, duke e cilësuar këtë si një sinjal alarmi nga Brukseli.
Në konferencë, ai përmendi edhe kritikat e raportit lidhur me çështjen e pronave, autonominë vendore dhe të drejtat e pakicave kombëtare, si dhe trajtimin e sektorit të pasurive të paluajtshme dhe industrisë së ndërtimit si fusha të ekspozuara ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Në fund, Sali Berisha paralajmëroi se Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen e hakerimeve dhe abuzimeve me sistemet e AKSHI.
“Nuk do të pajtohemi me bllokimin e komisioneve hetimore. Do të qëndrojmë mbi çdo abuzim me të dhënat e qytetarëve”, deklaroi ai.
