Katër ditë pas protestës së studentëve shqiptarë në Shkup për mbrojtjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e Jurisprudencës, disa prej studentëve nga Shqipëria kanë rrëfyer incidentet me të cilat u përballën gjatë udhëtimit drejt protestës.
Studenti Ardit Kola deklaroi në një studio televizive se grupi prej 41 studentësh u ndalua disa herë nga autoritetet maqedonase dhe u përball me presion e dhunë fizike.
Sipas tij, në pikën kufitare të Dogana e Bllatës dokumentet e studentëve u kontrolluan dy herë dhe autobusi u mbajt për rreth një orë e gjysmë.
“Na thanë se autobusi do të kthehej pas. Vetëm pas një ore e gjysmë na lejuan të vazhdonim”, tregoi ai.
Kola shtoi se gjatë rrugës drejt Shkupit grupi u shoqërua nga patrulla policie, ndërsa më vonë një automjet civil ndaloi autobusin dhe kërkoi kontroll të detajuar të studentëve.
“Ata ishin të armatosur, një prej studentëve e goditën dhe e dhunuan fizikisht. Kishte edhe ofendime”, deklaroi studenti.
Sipas tij, fillimisht studentët menduan se po shoqëroheshin për siguri, por më pas dyshuan se po devijoheshin drejt një rruge tjetër.
Ndërkohë, studentja Erisa Lipoveci tha se protesta kishte si qëllim vetëm mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe të drejtave të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
“Nuk kërkojmë përçarje, por vetëm të drejtat tona dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe”, u shpreh ajo.
Studentët paralajmëruan se protesta e radhës në Tiranë do të jetë paqësore dhe do të zhvillohet nga Sheshi Skënderbej drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut.
