Gjykata e Lartë ka caktuar datën 16 korrik për shqyrtimin e rekursit të paraqitur nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila kundërshton masën e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe kërkon shuarjen e saj.
Rekursi është depozituar pasi kërkesa e saj për heqjen e masës u rrëzua më herët si nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ashtu edhe nga Apeli i GJKKO-së.
Relator i çështjes është caktuar gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ilir Panda.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zgjeruar hetimet ndaj Ballukut. Sipas organit të akuzës, përveç akuzave që lidhen me shkelje në procedurat e tenderimit, ajo po hetohet edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Sipas SPAK, hetimet lidhen me dy procedura tenderuese me vlerë mbi 1 milion euro, të zhvilluara në periudhën kur Balluku drejtonte Albcontrol. Prokuroria pretendon se kontratat janë dhënë në kundërshtim me ligjin dhe se, në këmbim të favoreve, Balluku ka përfituar një vilë në Dhërmi me vlerë rreth 145 mijë euro. Pasuria është sekuestruar me vendim të GJKKO-së.
Çështja mbetet në proces gjyqësor dhe pretendimet e SPAK pritet të vlerësohen nga gjykatat përkatëse në përfundim të procedurave ligjore.
