Pamje të reja të publikuara nga brenda të ashtuquajturës Shpella e Peshkaqenëve kanë zbuluar kushtet ekstreme në të cilat humbën jetën pesë zhytës italianë gjatë një ekspedite nënujore tragjike.
Fotografitë, të publikuara fillimisht nga DAN Europe, tregojnë një sistem të ndërlikuar tunelesh nënujore ku drita depërton vetëm në hyrje, ndërsa pjesa e brendshme zhytet në errësirë totale dhe sedimente që e bëjnë orientimin pothuajse të pamundur.
Pamjet janë realizuar nga zhytësi finlandez Sami Paakkarinen, pjesë e ekipit të kërkim-shpëtimit që arriti të nxjerrë trupat e viktimave nga thellësia mbi 60 metra.
Sipas ekspertëve, shpella ka një gjatësi rreth 200 metra, por konsiderohet jashtëzakonisht e rrezikshme për shkak të korridoreve të ngushta dhe humbjes së menjëhershme të dukshmërisë.
Paakkarinen e përshkroi zonën si “shumë sfiduese dhe të rrezikshme”, duke theksuar se prioritet gjatë operacionit ishte siguria e ekipit të shpëtimit.
Hetimet paraprake tregojnë se pesë zhytësit italianë kanë hyrë vullnetarisht në shpellë, por kanë humbur orientimin gjatë kthimit. Dyshohet se ata janë ngatërruar në sistemin e tuneleve, ndërsa një nga daljet ishte bllokuar nga sedimentet.
Ekspertët besojnë se grupi konsumoi oksigjenin e bombolave rekreative dhe nuk arriti të rikthehej në sipërfaqe.
Sipas raportimeve, zhytja ishte kryer me pajisje standarde rekreative dhe jo me përzierje speciale gazi si trimix, që përdoren për thellësi ekstreme mbi 60 metra.
Trupat e katër viktimave u gjetën në të njëjtën zonë të shpellës, ndërsa një tjetër ishte nxjerrë më herët. Autoritetet kanë sekuestruar pajisjet elektronike dhe ato të zhytjes për hetime të mëtejshme.
Ekspertët e zhytjes u kanë bërë thirrje autoriteteve në Maldive të forcojnë rregullat për zhytjet rekreative dhe të hartojnë më saktë sistemet e shpellave nënujore, për të shmangur tragjedi të ngjashme në të ardhmen.
