Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Japoni, mbajti një fjalim në Universiteti i Kombeve të Bashkuara në Tokio, ku foli për rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe transformimin e vendit pas rënies së komunizmit.
Kryeministri tha se Shqipëria për dekada të tëra ishte e izoluar dhe njihej si “Koreja e Veriut e Europës”, ndërsa sot ndodhet në fazën vendimtare të integrimit europian.
“Vij nga një vend që për dekada të tëra njihej si Koreja e Veriut e Europës, një vend ku shteti bëri të pamundurën për të izoluar jo vetëm kufijtë, por edhe mendjet”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se integrimi europian për Shqipërinë nuk është thjesht një proces burokratik, por një aspiratë kombëtare dhe një projekt transformimi për shtetin dhe shoqërinë.
Sipas Ramës, Shqipëria nuk ka “plan B” përveç anëtarësimit në Bashkimi Europian.
“Ne duam të martohemi me BE-në, këmbëngulim: do të martohemi”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se vendi është plotësisht i linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe mbetet një aleat i përkushtuar i NATO.
Në fjalën e tij, Rama ndaloi edhe te reforma në drejtësi, të cilën e cilësoi si një nga reformat më të vështira dhe më të thella të ndërmarra në Shqipëri.
Ai tha se anëtarësimi në BE lidhet me ndërtimin e institucioneve, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e një administrate që u shërben qytetarëve.
Kryeministri theksoi gjithashtu se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të negociatave me Bashkimin Europian, që përfshin hapjen dhe mbylljen e kapitujve të anëtarësimit.
