Gjykata e Tiranë ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka caktuar masën “arrest me burg” për 60 ditë ndaj Elez Hysa, i dyshuar si një nga autorët e grabitjes së një argjendarie në Kamëz.
Gjatë seancës gjyqësore, 22-vjeçari ka mohuar përfshirjen në ngjarje, duke deklaruar se nuk ka lidhje me grabitjen.
“Banesa ime me vendin ku ka ndodhur ngjarja është 47 kilometra larg, pasi jetoj në Malësinë e Krujës. Motori im nuk ka përmasat e mjetit të përdorur nga autorët”, mësohet të ketë deklaruar ai para gjykatës.
Sipas policisë, hetimet dhe pamjet e kamerave të sigurisë çuan drejt identifikimit të të riut, ndërsa pranë banesës së tij janë gjetur veshje të ngjashme me ato të përdorura gjatë grabitjes, pjesërisht të djegura, si dhe kuti boje që dyshohet se janë përdorur për modifikimin e motorit të autorëve.
Autoritetet bëjnë me dije se Elez Hysa rezulton me precedent penal për kultivim të lëndëve narkotike.
Policia ka identifikuar edhe personin tjetër të dyshuar për grabitjen dhe po punon për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Deri tani nuk janë gjetur arma e zjarrit e përdorur gjatë grabitjes dhe as motori me të cilin autorët dyshohet se u larguan nga vendi i ngjarjes, ku sipas hetimeve u morën sende me vlerë rreth 70 mijë euro
