Nga: Arben Llangozi
Pas tre ditësh tensioni, debatesh dhe reagimesh për arrestimin e një avokati në Elbasan, ndodhi
diçka që mungon shpesh në sallat e drejtësisë: foli publiku. Dhe kur flet publiku, nuk ka më vend
për interpretime — sepse ai është gjykatësi më i drejtë dhe më i sinqertë.
Publiku dha verdiktin e tij moral. Ai nuk gjykoi me urdhra, por me ndërgjegje; nuk foli me kode,
por me zemër. Sot, qytetari shqiptar vlerësoi drejtësinë, vlerësoi gjykatën, prokurorinë dhe
avokatinë, por mbi të gjitha — vlerësoi të vërtetën.
Në letër, drejtësia shqiptare është e pavarur, e paanshme dhe e ndërtuar mbi ligjin. Në realitet,
ajo shpesh mbetet e mbyllur pas mureve të institucioneve, ku ndërgjegjja shuhet përballë
hierarkisë. Në vend të një sistemi që mbron qytetarin, kemi një strukturë që shpesh e ndëshkon atë që guxon të flasë.
Publiku nuk është i helmuar, as i manipuluar, siç pretendojnë disa zëra në KLP e KLGJ që
fajësojnë median sa herë që ndriçon padrejtësinë. Publiku është i mençur. Ai kërkon të dijë të vërtetën, dhe sot e pa me sytë e tij kush e mbron ligjin dhe kush fshihet pas tij.
Sot u pa një gjykatë që humbi lidhjen me qytetarin. Në vend që të ishte ura mes ligjit dhe
ndërgjegjes, ajo ngriti një mur heshtjeje. Një prokurori që kujtonte hijet e errëta të së kaluarës
si në kohën e Nevzat Haznedarit — ku arrestimi në sallë, dënimi pa prova dhe shkatërrimi i
jetëve ishin “normalitet”.
Historia nuk përsëritet me pranga të hekurta, por me procedura të sofistikuara që godasin të
njëjtin njeri: avokatin që guxon të flasë.
Në këtë errësirë, një figurë qëndroi e qartë: avokati.
Ai nuk ka poste, privilegje apo mbrojtje
politike. Ka vetëm një zyrë modeste, një dosje, një penë dhe një qytetar që i beson.
Avokatin nuk e emëron pushteti — e zgjedh qytetari, e paguan qytetari dhe e beson qytetari.
Ai nuk është pengesë për drejtësinë, por garancia e saj. Në një kohë kur sistemi e sheh si rrezik, ai mbetet mburoja e fundit e qytetarit të zakonshëm.
Drejtësia nuk funksionon kur gjykata harron paanshmërinë, kur prokuroria bëhet palë, kur
avokati pengohet të flasë dhe kur publiku dezinformohet. Atëherë drejtësia kthehet në farsë.
KLP, KLGJ, gjykatat dhe prokuroritë duhet të kuptojnë se publiku nuk është armik — ai është
pasqyra ku shfaqet e vërteta.
Dhe ajo pasqyrë sot nuk reflekton më fytyrën e drejtësisë, por plagët e saj.Mos bëni plane e komplotë kundër avokatëve, sepse ata nuk janë armiq, por mbrojtësit e fundit të dinjitetit qytetar.
Në një kohë kur pushteti politik dhe institucional shpesh bashkohen për të heshtur zërin e ndershëm, publiku qëndroi krah avokatit. Ai e mbrojti me vëmendjen, me besimin dhe me zemrën e tij.
Dhe kur qytetari dhe avokati bashkohen në një qëllim të vetëm — kërkimin e drejtësisë —
atëherë askush dhe asgjë nuk mund ta shkatërrojë më dinjitetin e tyre.
