Manjola Luku denoncon koncesionin “Check Up”: 138 milionë euro me dyshime për favorizim dhe shkelje ligjore

Data

Manjola Luku ka denoncuar atë që e cilësoi si një nga skandalet më të mëdha në sistemin shëndetësor shqiptar, duke kërkuar hetim të plotë për koncesionet në shëndetësi, përfshirë kontratën e njohur si “Check Up”.

Në një deklaratë për mediat, deputetja demokrate tha se dokumente dhe raportime të reja hedhin dyshime serioze mbi mënyrën e firmosjes së kontratës koncesionare me vlerë 13.8 miliardë lekë, ose rreth 138 milionë euro për 10 vite.

Sipas Lukut, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj i delegoi kompetencën ish-zv/ministres Milva Ekonomi për të firmosur formularin e shpalljes së fituesit të kontratës.

Ajo deklaroi se dokumentet tregojnë se më 19 shkurt 2015, Milva Ekonomi firmosi formularin ku përcaktohej vlera totale e kontratës, duke e cilësuar këtë veprim si një hallkë kyçe në një skemë që sipas saj i ka shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit.

Deputetja ngriti gjithashtu dyshime mbi procedurën e përzgjedhjes së kompanisë fituese 3P Life Logistic, duke theksuar se kompania u krijua në dhjetor 2014, ndërkohë që fituesi i kontratës ishte shpallur që në tetor të atij viti.

“Këto fakte ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën sesi u zhvillua gara dhe nëse procesi ishte një procedurë formale për të legjitimuar një vendim të marrë paraprakisht”, u shpreh Luku.

Ajo shtoi se edhe Agjencia e Prokurimit Publik kishte evidentuar shkelje në procedurë, përfshirë mungesë firme dhe numri protokolli në dokumentacionin zyrtar, si dhe mospërputhje mbi vlerën dhe mënyrën e pagesës së kontratës.

Sipas deputetes së Partia Demokratike, qytetarët shqiptarë vazhdojnë të paguajnë pasojat e një modeli që ka ngritur dyshime për shpërdorim fondesh publike dhe favorizim klientelist.

Luku i bëri thirrje SPAK të kryejë një hetim të plotë mbi përgjegjësitë politike dhe institucionale që lidhen me koncesionet në shëndetësi.

“Shqiptarët meritojnë të dinë të vërtetën. Paratë publike nuk mund të trajtohen si plaçkë pushteti”, deklaroi ajo.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related