“Duhej garë reale për kreun e PD”, Alimehmeti: Salianji plotësonte kriteret përballë Berishës, nuk jam për farsa

Data

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partia Demokratike e Shqipërisë, Ilir Alimehmeti, ka deklaruar se opozita ka nevojë për rinovim dhe procese reale gare brenda partisë, duke kritikuar mënyrën sesi po zhvillohen proceset aktuale në selinë blu.

Në një intervistë televizive, Alimehmeti komentoi zhvillimet e fundit në PD, raportin mes Ervin Salianji dhe Sali Berisha, si edhe sfidat e opozitës përballë qeverisë së Edi Rama.

Ai u shpreh se partia ka nevojë për përfaqësim më të gjerë në strukturat drejtuese dhe për një Këshill Kombëtar më aktiv.

“Ka nevojë për një rinovim, por më tepër sesa vetë rinovimi do kishte rëndësi përfaqësimi. Këshilli Kombëtar duhet të ishte më përfaqësues dhe më aktiv”, deklaroi Alimehmeti.

Duke folur për garën për kreun e PD-së, ai tha se duhej të kishte pasur një kandidat real përballë Berishës dhe vlerësoi se Salianji ishte figura që plotësonte kriteret për të hyrë në garë.

“Unë jam për garë gjithmonë. Gara të forcon, gara të çon përpara. Mendoj që zoti Salianji ishte i vetmi person që i plotësonte kriteret për të hyrë në garë përballë zotit Berisha”, tha ai.

Megjithatë, Alimehmeti theksoi se nuk mbështet procese formale apo të paracaktuara.

“Nuk jam për farsat ala ‘Maqo Lakrori’. O bëjmë garë reale, ose më mirë të quhet rikonfirmim. Një garë false nuk do e preferoja”, u shpreh ai.

Në lidhje me debatet e brendshme në PD, Alimehmeti mohoi përçarjet dhe tha se ka qenë gjithmonë kundër ndasive në parti.

“Kam qenë fort kundër përçarjes. E kam parë se çfarë dëmi ka sjellë përçarja në Partinë Demokratike”, deklaroi ai.

Ai kujtoi gjithashtu mbështetjen që i ka dhënë Salianjit gjatë periudhës së burgimit, duke e cilësuar atë një proces politik.

“Kam shkuar për ta takuar sepse vlerësoja që ai po bënte një burg politik për shkak të kontributit që jepte në Partinë Demokratike”, tha Alimehmeti.

Sipas tij, opozita duhet të fokusohet te bashkimi dhe rikthimi i shpresës tek qytetarët, përballë largimit masiv të të rinjve nga vendi.

“Po na ikin fëmijët dhe po humbet shpresa”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related