Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim të fortë kritik ndaj kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Bajram Begaj, gjatë një aktiviteti kushtuar inteligjencës artificiale dhe teknologjisë.
Berisha e cilësoi periudhën aktuale si “epoka e urtësisë artificiale”, duke theksuar se njerëzimi po jeton revolucionin më të madh teknologjik të historisë.
“Ne sot jemi banorë të një epoke të re. Jemi qytetarë të epokës së urtësisë artificiale. Revolucionet teknologjike kanë çelur epoka, por inteligjenca artificiale ka çelur epokën e fuqizimit të mendjes së njeriut”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij, Berisha përmendi edhe Mira Murati, duke e cilësuar si një nga figurat më të rëndësishme të kësaj epoke dhe “vajzën nga Vlora” që sipas tij është bërë ndër emrat më të njohur në botën e teknologjisë.
“Njëri nga personalitetet më të rëndësishme të kësaj epoke është një vajzë nga Vlora, Mira Murati, arkitekte e ChatGPT”, tha Berisha.
Më pas ai sulmoi ashpër Ramën dhe Begajn, duke i quajtur “sharlatanët më të mëdhenj të epokës së inteligjencës artificiale”.
“Në antitezë kemi dy sharlatanët më të mëdhenj të kësaj epoke, Edi Rama dhe Haram Begaj. Janë këta që emëruan ministren e parë bot, në trupin e së cilës nuk u gjet asnjë qelizë inteligjence artificiale”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, përdorimi i inteligjencës artificiale duhet të shoqërohet me rregulla të qarta demokratike dhe respektim të shtetit ligjor.
“Avantazhet e inteligjencës artificiale janë të jashtëzakonshme, por ato duhet të përdoren në kuadër të demokracisë dhe shtetit ligjor”, theksoi lideri demokrat.
