Zjarri në tregun e fruta-perimeve në Lushnje dyshohet i qëllimshëm, policia heton tre persona të filmuar pranë tregut

Data

Hetimet për zjarrin që përfshiu një ditë më parë tregun e fruta-perimeve në Lushnjë kanë marrë një tjetër drejtim, pasi policia tashmë dyshon se ngjarja mund të ketë qenë e qëllimshme.

Sipas burimeve hetimore, nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se rreth 30 minuta para shpërthimit të flakëve, pranë tregut janë afruar tre persona të paidentifikuar.

Megjithatë, momenti i zjarrvënies nuk është filmuar drejtpërdrejt, pasi tendat e vendosura nga tregtarët kanë penguar fushën e pamjes së kamerave të sigurisë të instaluara brenda tregut.

Grupi hetimor dhe ekspertët vijojnë punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të mundshëm.

Fillimisht, një ditë më parë, dyshimet ishin se zjarri mund të ishte shkaktuar aksidentalisht nga një shkëndijë elektrike.

Ndërkohë, Bashkia Lushnjë po përgatit një projektvendim për kompensimin e tregtarëve të dëmtuar, i cili pritet të paraqitet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak.

Tregu i fruta-perimeve, që menaxhohet nga bashkia, ishte rikonstruktuar tre vite më parë, por sipas të dhënave paraprake dyshohet se mungonin masat e nevojshme të sigurisë kundër zjarrit.

Tregu frekuentohej nga rreth 150 tregtarë, të cilët përkohësisht do ta ushtrojnë aktivitetin e tyre në rrugën pranë tregut deri në riparimin e strukturës së dëmtuar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related