Partia Demokratike e Shqipërisë ka reaguar ashpër ndaj incidenteve të raportuara së fundmi ndaj gazetarëve, duke i cilësuar ato si sulme të drejtpërdrejta ndaj lirisë së medias dhe fjalës së lirë.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, tha se fjala e lirë është dhunuar në dyert e SPAK, duke iu referuar incidentit mes ish-zëvendësministrit Agron Tare dhe gazetarit të SYRI TV, Fatjon Gjinaj.
Sipas PD-së, Tare ka kërcënuar gazetarin teksa ai po filmonte daljen e tij nga ambientet e SPAK, ku ishte paraqitur për të dhënë dëshmi.
Në deklaratë u përmend edhe rasti i gazetarit Ervin Dushi, i cili sipas opozitës është dhunuar fizikisht në Shkodër nga biznesmeni Prek Gjoni dhe persona të tjerë.
“Kur një biznesmen ngre dorë mbi një gazetar dhe kur një ish-zëvendësministër kërcënon një reporter në dyert e SPAK, kjo tregon se ata ndihen të paprekshëm dhe të mbrojtur nga pushteti”, deklaroi Garo.
PD theksoi se dhuna, presioni dhe intimidimi nuk do të mund të heshtin gazetarët që raportojnë në mbrojtje të së vërtetës, duke shprehur mbështetjen e saj për mediat dhe lirinë e shprehjes në vend.
