Prokuroria e Tiranës pritet të marrë në pyetje Emiljano Shullazin në lidhje me atentatin e ndodhur në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani. Burime nga hetimi bëjnë me dije se Shullazi do të pyetet nëse ka dijeni apo dyshime për persona të caktuar që mund të kenë organizuar vrasjen.
Marrja në pyetje pritet të zhvillohet në ambientet e paraburgimit 313, ku Shullazi ndodhet aktualisht, ndërsa ende nuk dihet nëse ai do të japë deklarime për ngjarjen.
Gilmando Dani ishte anëtar aktiv i grupit kriminal të drejtuar nga Shullazi. Ai ishte dënuar më parë për gjobëvënie dhe ishte liruar nga burgu në tetor të vitit 2024. Atentati ndaj tij ndodhi në zonën e Rinasit, teksa udhëtonte në automjet së bashku me Muci Shaljanin, menjëherë pas kthimit të tyre nga Spanja.
Ndërkohë, hetimet po vijojnë intensivisht. Ditët e fundit janë marrë në pyetje disa persona që kanë qenë të pranishëm në Rinas në kohën e ngjarjes. Sipas dyshimeve të hetuesve, grupi kriminal mund të ketë pasur informatorë brenda aeroportit, të cilët kanë njoftuar për lëvizjet e viktimave, duke lehtësuar kështu organizimin e atentatit.
