“Rama nuk e njeh shtetin”/ Arben Malaj kritika të forta ndaj Edi Rama: Është viktimë e përbindëshave të tij

Data

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka bërë kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë një interviste televizive, ku foli për raportin e tij me politikën dhe përvojën në qeverinë socialiste të drejtuar nga Fatos Nano.

Malaj tregoi se e kishte njohur për herë të parë Ramën në rrethana personale, pas ndarjes nga jeta të të atit të kryeministrit aktual, ndërsa më pas ndoqi nga afër hyrjen e tij në politikë.

Sipas tij, Fatos Nano kishte një filozofi politike që i ftonte kritikët të bëheshin pjesë e qeverisjes dhe të kontribuonin drejtpërdrejt në vendimmarrje.

Ish-ministri zbuloi edhe një episod lidhur me emërimin e Ramës në politikë, duke thënë se fillimisht ishte menduar emri i Luan Rama për postin e ministrit të Kulturës, por më pas Nano vendosi të emëronte Edi Ramën.

Në vijim, Malaj u shpreh kritik ndaj mënyrës së drejtimit të shtetit nga Rama.

“Për mua nuk ka asnjë qelizë shtetformuese. Ka emocion, ka karizëm, por nuk e njeh shtetin”, deklaroi ai.

Sipas Malajt, Rama nuk pranon këshillim nga bashkëpunëtorët vendas dhe mbështetet në mënyrë të tepruar te këshilltarët e huaj.

“Nuk pranon të këshillohet, denigron këshilltarët e brendshëm dhe beson verbërisht këshilltarët e huaj”, tha ish-ministri.

Në fund të deklaratës së tij, Arben Malaj shtoi se kryeministri është “viktimë e përbindëshave të tij të brendshëm”, duke e cilësuar këtë si një nga problemet kryesore të mënyrës së tij të qeverisjes.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related