Detaje të reja kanë dalë nga grabitja e ndodhur në një argjendari në Kamëz, ku kamerat e sigurisë kanë dokumentuar itinerarin e autorëve pas largimit nga vendi i ngjarjes.
Sipas burimeve hetimore, dy grabitësit janë larguar menjëherë pas vjedhjes në drejtim të zonës së Zallherr, duke lëvizur me motor dhe të maskuar gjatë gjithë kohës.
Pamjet filmike tregojnë se në një moment autorët kanë humbur kontrollin e motorit dhe janë rrëzuar, por më pas janë ngritur dhe kanë vijuar arratisjen.
Policia e Shtetit ka shoqëruar disa persona me precedentë penalë në zonë, ndërsa vijojnë kontrollet dhe verifikimet për identifikimin e grabitësve.
Megjithëse deri tani nuk është bërë i mundur identifikimi i tyre, hetuesit po analizojnë të gjitha provat e mbledhura në vendngjarje. Sipas të dhënave paraprake, autorët kanë marrë sende ari dhe argjendi nga argjendaria.
Në kuadër të hetimeve është marrë në pyetje edhe punonjësja e biznesit, e cila ka deklaruar se në momentin e grabitjes ndodhej në pjesën e pasme të dyqanit dhe nuk është përballur drejtpërdrejt me autorët.
