Edhe pse kanë kaluar gati 2 javë nga ngritja në parlament e komisionit të posacëm për dezinformimi, grupet parlamentare ende nuk kanë gati emrat e anëtarëve që do i përfaqësojnë.
Pasi u votua 12 ditë më parë në parlament ngritja e tij, Komisioni i Posaçëm për dezinformimin ka mbetur ende peng i caktimit të emrave që do të jenë në përbërje të tij, duke pamundësuar zhvillimin më tej të punës së këtij komisioni.
3 ditë më parë, kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla iu dërgoi një shkresë 4 kryetarëve të grupeve parlamentare me qëllim për të propozuar anëtarët që do të jenë pjesë e tij.
Këtë fillim jave, Euronews Albania u interesua pranë 4 grupeve parlamentare për plotësimin e kësaj kërkese.
Grupi parlamentar socialist pritet që brenda kësaj jave të depozitojë 6 emrat e deputetëve që do e përfaqësojnë, ku drejtimi do t’i besohet deputetit Erion Braçe.
Ndërsa grupi parlamentar demokrat që do të ketë 3 anëtarë ende nuk ka një vendimmarrje për këtë çështje, të cilën pritet ta diskutojë fillimisht në mbledhjen e grupit parlamentar.
Agron Duka kryetar i grupit parlamentar ‘Aleanca për Ndryshim’ që ka të drejtën e propozimit të 1 anëtari, do të caktojë si pjesë të komisionit për dezinformimin deputetin Fatmir Mediu.
Ndërsa Mesila Doda, kryetare e grupit parlamentar ‘Demokraci dhe Integrim’ nuk u përgjigj interesimit për këtë çështje.
Ky komision pritet të ketë si qëllim për të mbikëqyrur veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit.
