Bullgaria është shpallur fituese e Eurovision Song Contest 2026 falë këngëtares DARA dhe këngës “Bangaranga”, duke siguruar një total prej 516 pikësh dhe fitoren e parë historike të vendit në këtë kompeticion.
Sipas rezultateve zyrtare, DARA mori 204 pikë nga juritë profesionale dhe 312 pikë nga televotimi i publikut, duke dominuar finalen e zhvilluar në Vjenë.
Në vendin e dytë u rendit Izraeli me 343 pikë, ndërsa podiumin e plotësoi Rumania.
Shqipëria u rendit në vendin e 13-të me 145 pikë falë këngës “Nan” të interpretuar nga Alis. Shqipëria mori 85 pikë nga publiku, ndërsa mbështetjen më të madhe e mori nga Portugalia, që i dha 12 pikët maksimale. Mali i Zi e vlerësoi këngën shqiptare me 10 pikë.
Nga ana tjetër, Shqipëria i dha 12 pikët e saj Italisë, ndërsa Italia nuk akordoi asnjë pikë për përfaqësimin shqiptar.
Kënga fituese “Bangaranga” u konsiderua një surprizë e madhe e këtij edicioni dhe u vlerësua për kombinimin e elementeve moderne pop me motive folklorike bullgare.
DARA, emri i vërtetë i së cilës është Darina Yotova, është një nga artistet më të njohura të muzikës pop në Bullgari. Ajo ka fituar popullaritet me këngë si “Thunder”, “Call Me” dhe “Mr. Rover”, ndërsa në vitin 2025 publikoi albumin “ADHDARA”, që shënoi zgjerimin e saj në tregun ndërkombëtar.
